Agim Sulaj
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Kryeqyteti kosovar, Prishtina, është kthyer të mërkurën mbrëma në një skenë të muzikës operistike botërore, që kurorëzon edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, raporton Anadolu.
Soprano dhe tenorë me famë ndërkombëtare kanë interpretuar kryevepra të repertorit operistik, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit të Shqipërisë (RTSH), nën dirigjimin e maestros italian Giuseppe Finzi.
Edicioni i sivjetmë i festivalit u zhvillua nën moton “Play Music, Not War”, duke shndërruar muzikën në një mesazh paqeje, shprese dhe bashkimi.
Gjatë festivalit, i cili ka mbledhur mijëra artdashës, janë organizuar aktivitete të shumta artistike dhe edukative, përfshirë ekspozitën “Before Beauty / After Beauty” të fotografit Fadil Berisha, koncertet kushtuar Nexhmije Pagarushës, “Open Mic”, “Young Classics”, “Opera Night” dhe masterklase falas të fotografisë dhe këndimit lirik.
Në konferencën për shtyp të festivalit, të mërkurën gjatë ditës, themeluesi Rame Lahaj, dirigjenti Giuseppe Finzi, sopranoja Vanessa Goikoetxea, mezzo-sopranoja Stepanka Pucalkova, bass-baritoni Luca Pisaroni dhe drejtues të tjerë të festivalit kanë ndarë emocionet dhe pritshmëritë për mbrëmjen kulmore.
Festivali “Rame Lahaj” synon që përmes artistëve me karrierë ndërkombëtare ta vendosë Kosovën në hartën botërore të muzikës operistike, duke krijuar njëkohësisht mundësi për artistët e rinj.
Qindra qytetarë shprehën interesim për të dëgjuar interpretimet në këtë festival, si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Kosovë.