"Kushdo që vjen në Holandë duhet patjetër të shtojë Giethoorn në listën e tyre të vendeve për të vizituar", tha vizitorja Mery Diesenta.
Abdullah Aşıran
12 korrik 2026•Përditësim: 12 korrik 2026
photo: Abdullah Aşıran / AA
GIETHOORN
Fshati Giethoorn në Holandë, i cilësuar si "Venecia e Holandës" për shkak të ngjashmërisë me qytetin italian të Venecias, tërheq vëmendjen me strukturën e tij historike të ruajtur që nga Mesjeta dhe kanalet përrallore.
I vendosur në provincën Overijssel, Giethoorn u ofron vizitorëve atmosferën e Venecias pa qenë nevoja të udhëtojnë në Itali, falë kanaleve, shtëpive shekullore dhe fluksit të turistëve.
Foto : Abdullah Aşıran/AA
Fshati, që vizitohet nga rreth 1,2 milionë turistë në vit, me 176 ura druri, kanalet e ngushta, shtëpitë historike, natyrën e gjelbër dhe lulet shumëngjyrëshe, ngjan me një vend përrallor. Ai njihet veçanërisht për kanalet, varkat dhe shtëpitë që të kujtojnë fshatin e “Hobbitëve”.
- Shëtitje turistike me varka gjatë gjithë ditës
Në fshatin me rreth 2.600 banorë, përgjatë kanaleve që rrethojnë sheshin me shtëpitë historike organizohen shëtitje turistike me varka gjatë gjithë ditës. Gjatë verës, fshati vizitohet më së shumti nga turistë nga Lindja e Largët, Lindja e Mesme dhe Turqia, ndërsa dhjetëra varka lundrojnë nëpër kanale.
Foto : Abdullah Aşıran/AA
Shumë prej shtëpive, janë të banuara nga vendasit dhe ndodhen në ishuj të vegjël, ku mund të arrihet vetëm përmes urave prej druri të pronarëve.
Foto : Abdullah Aşıran/AA
Në fshat nuk lejohen automjetet dhe transporti kryhet kryesisht me varka. Nga veriu në jug mund të kalohet vetëm nëpërmjet një rruge të ngushtë për këmbësorë dhe biçikleta.
Foto : Abdullah Aşıran/AA
Shumica e shtëpive historike kanë dy dyer. Dera anësore përdoret për jetën e përditshme, ndërsa dera kryesore hapet vetëm në rast martese për hyrjen e nuses dhe pas vdekjes për nxjerrjen e të ndjerit.
- “Kemi shumë ujë, natyrë dhe shtëpi të bukura fermash”
Anëtarja e bordit të Shoqatës së Sipërmarrësve të Giethoornit, Lizanne Hubbers, tha për Anadolu se Giethoorn është “fshati më i bukur i Holandës”.
Ajo theksoi se fshati ka ruajtur strukturën e tij të vogël dhe autentike. “Këtu është shumë bukur. Kemi shumë ujë, natyrë dhe shtëpi të bukura fermash. Në Giethoorn ka shumë rrugë ujore. Ka njerëz që jetojnë në anën tjetër të kanalit dhe mund të shkojnë në shtëpitë e tyre vetëm me anë të ujit”, tha ajo.
Hubbers shpjegoi se zona është formuar si pasojë e nxjerrjes së torfës në të kaluarën dhe se kjo shihet qartë gjatë një shëtitjeje me varkë. Ajo shtoi se edhe sot vazhdon prerja e kallamishteve dhe se shumica e çative të shtëpive janë të mbuluara me kallam.