Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, u mbajt ceremonia hapëse e “Samitit Rinor Ballkanik”, organizuar nga Presidenca për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike (YTB), raporton Anadolu.
Në ceremoninë hapëse të “Samitit Rinor Ballkanik”, i organizuar në kuadër të dhjetëvjetorit të projektit “Shkolla Rinore Ballkanike” nga YTB-ja, morën pjesë kryetari i YTB-së, Abdulhadi Turus, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, ambasadori Babur Hizlan, përfaqësues të institucioneve turke në vend, përfaqësues vendorë dhe shumë të ftuar.
Kryetari i YTB-së, Turus, në fjalën e tij tha se kur e nisën projektin “Shkolla Rinore Ballkanike” në vitin 2016, synimi ishte që të rinjtë të zhvilloheshin përmes ndërveprimit me ligjërues që i njohin nga afër qytetet e tyre dhe banorët e tyre.
Ai tha se realizuan një projekt që synon që të rinjtë të ndërthurin njohuritë e fituara në lëndët e historisë, kulturës dhe artit me ndjenjën e përkatësisë gjatë vizitave të tyre në Turqi.
“Në dhjetë vjet, nën ombrellën e Shkollës Rinore Ballkanike, u kemi mësuar plot 3.500 të rinjve historinë, kulturën, artin, por mbi të gjitha se ‘mund t’ia dalim së bashku’. Këtë vit, në kuadër të 15 projekteve që realizuam me 15 organizata nga tetë vende, në Shkollën Rinore Ballkanike morën pjesë rreth 650 të rinj”, tha ai.
Turus theksoi se në dhjetëvjetorin e Shkollës Rinore Ballkanike, synojnë ta çojnë projektin në një nivel tjetër përmes Samitit Rinor Ballkanik. Ai tha se do të bashkojnë përfaqësues të shoqërisë civile nga Ballkani dhe Turqia për të diskutuar se si mund të zhvillohet më tej shkolla.
Turus u bëri thirrje organizatave të shoqërisë civile që t’i shohin të rinjtë si liderët e së ardhmes.
“Shpresojmë që këta të rinj të bëhen liderët e Ballkanit të nesërm, të Turqisë së nesërme dhe të botës së nesërme. Nëse i shihni këta të rinj në këtë mënyrë, besoj se ata do të krijojnë bazat për realizimin e vizionit ‘Një botë më e drejtë është e mundur’, të cilin e thekson veçanërisht presidenti ynë”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Turus falënderoi gjithashtu familjet që ua kanë besuar fëmijët e tyre YTB-së dhe kanë kontribuar në projekt, si dhe organizatat partnere të përfshira në të.
- “Përmes YTB-së, aktivitetet e Turqisë kanë ndikuar në jetën e mijëra të rinjve në Ballkan”
Edhe zëvendëskryeministri Damka tha se Ballkani është një rajon ku ndahen historia, kultura dhe kujtimet e përbashkëta.
Duke theksuar se në rajon fliten gjuhë të ndryshme dhe se kultura e identitete të ndryshme kanë bashkëjetuar për shekuj me radhë, Damka tha se pikërisht kjo larmi përbën pasurinë e Ballkanit.
Ai theksoi se të rinjtë nuk i shohin vetëm si drejtuesit e së ardhmes, por edhe si individë që kanë zë dhe ndikim në proceset vendimmarrëse të së sotmes.
Damka tha se shoqëritë që dëgjojnë idetë e të rinjve, u heqin pengesat dhe u krijojnë mundësi atyre, ecin drejt së ardhmes më të fuqishme.
“Ne duhet t’i çojmë marrëdhëniet tona edhe më përpara përmes arsimit, shkencës, tregtisë, teknologjisë dhe bashkëpunimit të përbashkët të të rinjve tanë. Si dikush që një pjesë të jetës arsimore e ka kaluar në Turqi, e di nga afër se sa e rëndësishme është kjo. Aktivitetet arsimore të Turqisë, të cilat nisën me Projektin e Madh të Studentëve dhe sot vazhdojnë përmes YTB-së, kanë ndikuar në jetën e mijëra të rinjve në Ballkan. Të rinjtë që kanë përfituar nga këto mundësi sot mbajnë pozita të rëndësishme në institucione të ndryshme, universitete, botën e biznesit dhe administratën publike në vendet e tyre. Ky është edhe përfitimi më i rëndësishëm i këtyre aktiviteteve”, tha ai.
Damka theksoi se beson që Shkolla Rinore Ballkanike, e cila prej dhjetë vjetësh bashkon të rinj nga vende të ndryshme, do të shërbejë si nxitje për projekte edhe më të mëdha në vitet e ardhshme. Ai uroi që të rinjtë që njihen në këtë samit, në të ardhmen të bëhen drejtues të projekteve të përbashkëta, bashkëpunëtorë në kërkime shkencore, nismëtarë të investimeve të reja dhe përfaqësues të fuqishëm të miqësisë mes vendeve.
Ndërkaq, ambasadori Hizlan e cilësoi Shkollën Rinore Ballkanike si një nga investimet më të bukura që mund të bëhen për të ardhmen e Ballkanit, duke përgëzuar YTB-në për kontributin e saj në stabilitetin dhe paqen e rajonit.
Ceremonia hapëse përfundoi me një fotografi të përbashkët.
Në kuadër të samitit do të organizohen aktivitete të ndryshme, përfshirë një takim vlerësues ku do të shqyrtohen arritjet dhjetëvjeçare të projektit “Shkolla Rinore Ballkanike” dhe vizioni për periudhën e ardhshme, një bashkëbisedim mbi aktivizmin në rrjetet sociale, stenda prezantuese të shoqatave, aktivitete ndërkulturore dhe punëtori të artit tradicional.
Përmes këtij samiti synohet të bëhen të dukshme arritjet e realizuara gjatë dhjetë viteve, të forcohet bashkëpunimi rinor mes vendeve të Ballkanit dhe të vlerësohet vizioni i projektit për periudhën e ardhshme.