Beril Çanakcı
27 nëntor 2026•Përditësim: 27 nëntor 2026
Punonjësit e Amazonit dhe mbështetësit e tyre po organizojnë greva dhe demonstrata në më shumë se 20 vende të botës, duke filluar nga e premtja, me kërkesën për paga më të larta dhe të drejta më të forta të punëtorëve gjatë një prej periudhave më të ngarkuara të blerjeve për gjigantin amerikan të tregtisë elektronike, transmeton Anadolu.
Aksioni katërditor, i organizuar nga Sindikata Globale UNI dhe organizata Progressive International në kuadër të fushatës “Make Amazon Pay”, pritet të vazhdojë deri të hënën e blerjeve online (Cyber Monday), sipas një deklarate të organizatorëve të publikuar të enjten.
Sindikata Gjermane e Shërbimeve, e njohur si ver.di, bëri thirrje për greva në 11 objekte të Amazonit, duke filluar nga orët e para të së premtes ndërsa sindikatat në Indi njoftuan organizimin e tubimeve në të paktën 23 lokacione në mbarë vendin.
Demonstrata janë planifikuar edhe në disa vende të tjera, përfshirë Poloninë, Brazilin, Japoninë dhe Afrikën e Jugut ndërsa sindikata Teamsters në SHBA do të organizojë protesta të hënën në Los Angeles dhe Çikago.
Fushata, e cila këtë vit zhvillohet për herë të shtatë, i bën thirrje Amazonit të njohë të drejtën e punonjësve për negociata kolektive, të përmirësojë sigurinë në vendin e punës, të paguajë pjesën e drejtë të taksave dhe të trajtojë ndikimin mjedisor të veprimtarisë së tij.
Protestat vijnë dy javë pasi rreth 800 punonjës të magazinave të Amazonit në provincën British Columbia të Kanadasë siguruan kontratën e parë detyruese kolektive të kompanisë në Amerikën e Veriut. Marrëveshja trevjeçare, e arritur përmes arbitrazhit, përfshin rritje pagash, përmirësim të të drejtave për pushime dhe përfitime në rast të ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
Amazon, në një deklaratë të transmetuar nga "Sky News", mbrojti praktikat e saj të punësimit, duke thënë se ofron paga konkurruese, përfitime dhe mjedise të sigurta pune si dhe punëson drejtpërdrejt më shumë se 1,5 milionë njerëz në mbarë botën.
E krijuar në SHBA, "Black Friday" (Premtja e Zezë) zhvillohet një ditë pas Ditës së Falënderimeve dhe është shndërruar në një ngjarje globale të blerjeve, gjatë së cilës shitësit me pakicë ofrojnë zbritje përpara sezonit të festave të fundvitit.