Ekrem Biçeroğlu
20 nëntor 2026•Përditësim: 20 nëntor 2026
Grupi Huthi i Jemenit i mbështetur nga Irani ka shpallur qendrën financiare në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, si objektiv ushtarak, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar në llogarinë e tij në platformën X, në pronësi të kompanisë amerikane, zëdhënësi ushtarak i Huthive në Jemen, Yahya Seri e cilësoi si objektiv qendrën financiare në Qytetin Ekonomik Mbretëror Abdullah në Riad.
Seri tha se qendra financiare në Riad përbën objektiv ushtarak ndërsa u bëri thirrje punonjësve, zyrtarëve dhe qytetarëve që ndodhen aty të largohen menjëherë nga zona. Ai publikoi një imazh në të cilin qendra financiare në Riad ishte shënuar si "zonë e kuqe".
Huthit kanë pretenduar se Arabia Saudite ka sulmuar termocentralet në rajonet Saada dhe Al-Muha të vendit. Në kundërpërgjigje, ata paralajmëruan se termocentrali "Shukayk" në rajonin Jazan të Arabisë Saudite, do të ishte një “objektiv legjitim” për ta në orët në vijim.
Koalicioni arab i udhëhequr nga Arabia Saudite u kishte bërë më herët thirrje civilëve në Portin e Hudejdes, në bregdetin e Detit të Kuq të Jemenit, që të evakuonin zonën për arsye sigurie.
Zëdhënësi i Huthive, Seri kërcënoi se në rast të një sulmi të Arabisë Saudite ndaj portit të Hudejdes, ata do të shënjestronin portin e Xhedës dhe portet e tjera saudite në Detin e Kuq.