Ekip
27 tetor 2023•Përditësim: 01 nëntor 2023
Portieri dhe kapiteni i Bayern Munich-ut, Manuel Neuer, pritet të kthehet në formacionin A të klubit gjerman të shtunën për herë të parë që kur theu këmbën gjatë skiimit në dhjetor të vitit të kaluar, transmeton Anadolu.
Neuer për herë të fundit u paraqit në Kupën e Botës në Katar më 1 dhjetor, kur kombëtarja gjermane u eliminua në fazën e grupeve, kurse një javë më vonë ai theu këmbën gjatë pushimeve.
Trajneri i klubit gjerman, Thomas Tuchel, tha se Neuer do të luajë kundër Darmstadt "nëse asgjë nuk ndodh në stërvitje". Ai shtoi se rikuperimi i gjatë nga lëndimi ka qenë një test për Neuer dhe se është "i sigurt se do të futet shumë shpejt në ritëm".
Bayern sezonin e kaluar nënshkroi me portierin zviceran Yann Sommer si zëvendësues për Neuer-in e dëmtuar, por e la të shkojë te Interi në fund të sezonit. Portieri rezervë i vjetër Sven Ulreich mbrojti portën e klubit të Mynihut që nga fillimi i këtij sezoni.
Bayern aktualisht është i treti në Bundesligë, dy pikë prapa liderit Bayer Leverkusen, ndërsa Darmstadt është i 12-ti.
Neuer po përballet gjithashtu edhe me sfidën e kthimit në portën e përfaqësueses gjermane përpara Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm. Marc-Andre ter Stegen i Barcelonës ka qenë në portë në të gjitha ndeshjet përveç një ndeshjeje për Gjermaninë që kur Neuer u lëndua.