Gjyshi 84-vjeçar transformon drurin dhe metalin në art
"Sipas mendimit tim, çfarëdo pune që të bësh, bëje me dashuri. Në punët e bëra me dashuri, rezultati i afrohet shumë përsosmërisë", tha Sedat Ozbek.
Kenan Yeşilyurt
11 korrik 2026•Përditësim: 11 korrik 2026
photo: Kenan Yeşilyurt / AA
Stamboll
Sedat Ozbek, 84-vjeçar, banor i Stambollit, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, vazhdon me pasion prej 57 vitesh punimet në dru dhe metal.
Prej rreth 34 vitesh, Ozbek krijon në punishten e tij në çarshinë e Uskudarit duke projektuar objekte origjinale që ndërthurin drurin dhe metalin.
Duke e përshkruar punishten e tij si “vendin ku merr formë mendimi”, Ozbek tha për Anadolu se një model të caktuar fillimisht e planifikon në mendje dhe më pas e shndërron në vepër konkrete me punën e tij.
Foto : Kenan Yeşilyurt/AA
Ai tha se shprehja: “Lindja ime i solli barrë nënës sime, jeta më solli barrë mua, madje edhe vdekja do t’i sjellë barrë atij që do të mbajë arkivolin tim”, e përmbledh jetën e tij, duke shtuar se gjatë gjithë jetës ka punuar që familja e tij të mos vuajë nga asgjë.
Duke theksuar se krijimtaria për të nuk është vetëm profesion, por edhe terapi, Ozbek tha: “Falënderoj Zotin që më ka dhënë mundësinë të realizoj çdo gjë që dua. Të merresh me një punë është për mua si terapi. Jam 84-vjeç dhe vazhdoj të krijoj. Të ndjekësh projekte të reja është shumë më mirë sesa të rrish pa bërë asgjë".
Ai tha se kushtet e jetës mund të zhvillojnë anën artistike të njeriut dhe se në çdo punë përpiqet të veprojë me plan.
- "Çfarëdo pune që të bëni, bëjeni me dashuri"
Sedat Ozbek tregoi se parimi më i rëndësishëm i jetës së tij profesionale është të punojë me dashuri.
“Ah, ç’është dashuria… (Ah minel Aşk) Sipas meje, çfarëdo pune që të bëni, bëjeni me dashuri. Punët e bëra me dashuri i afrohen më shumë përsosmërisë”, tha ai.
Foto : Kenan Yeşilyurt/AA
Duke tërhequr vëmendjen edhe te rëndësia e punës së planifikuar për suksesin, Ozbek tha se njeriu pa plan përballet çdo ditë me një kaos të ri, ndërsa ai që zbaton planin e tij pa e shtyrë, do ta arrijë patjetër rezultatin.
Ai citoi vargjet e mistikut dhe poetit Yunus Emre: “Ejani të njihemi, ta lehtësojmë punën. Të duam e të duhemi, se bota nuk i mbetet askujt”, duke thënë se ato përbëjnë filozofinë e jetës së tij.
Pavarësisht moshës 84-vjeçare, gjyshi Sedat vazhdon të krijojë vepra të reja në punishten e tij, duke bashkuar drurin dhe metalin.