Ekip
20 qershor 2020•Përditësim: 22 qershor 2020
Sipas një raporti zyrtar, Izraeli ka kaluar në një valë të dytë të shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti i Qendrës kombëtare për informim dhe njohuri mbi Betejën kundër Koronavirusit thekson se infeksionet mesatare ditore nga virusi arritën në 200, nga vetëm 16 raste në ditë katër javë më parë.
Në raportin e publikuar nga gazeta izraelite Yedioth Aharonoth, vala e dytë e koronavirusit "në karakteristika është ndryshe nga vala e parë, por jo më pak e rëndë".
Raporti apelon për marrjen e masave të mëtejshme për të parandaluar 1.000 infeksione në ditë dhe që qeveria izraelite të rishqyrtojë vendimin e saj të javës së kaluar për të lehtësuar masat kundër virusit.
Deri më tani autoritetet izraelite kanë raportuar 20.224 infeksione, 305 vdekje dhe 15.567 të shëruar.
Qeveria izraelite ka lehtësuar bllokimin e vendosur për të penguar përhapjen e koronavirusit, si dhe ka rihapur shkollat, universitetet dhe restorantet.