Mohammad Sio
30 shtator 2026•Përditësim: 30 shtator 2026
Operacioni i Tregtisë Detare i Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) ka bërë të ditur se një cisternë që transportonte naftë bruto është goditur nga një predhë e panjohur në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
UKMTO në një njoftim paralajmërues tha se kishte marrë me vonesë raportimin për një incident të ndodhur të martën në këtë rrugë strategjike ujore.
"Një burim i verifikuar ka raportuar se një cisternë nafte bruto është goditur në anën e majtë nga një predhë e panjohur", tha agjencia.
UKMTO nuk bëri të ditur emrin e anijes dhe nuk dha detaje për viktima të mundshme, dëmet apo origjinën e predhës.
Agjencia tha se autoritetet po hetojnë incidentin.
Asnjë grup nuk ka marrë menjëherë përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi në një kohë tensionesh mes Iranit dhe SHBA-së lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimet globale me energji dhe mallra.
Ngushtica e Hormuzit ka qenë një pikë kryesore mosmarrëveshjeje në negociatat mes Teheranit dhe Washingtonit, ndërsa të dyja palët kanë qëndrime të ndryshme lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e lundrimit në këtë rrugë ujore.
Në muajin shkurt, SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit, i cili iu përgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe objektivave amerikane në rajon, përpara se të arrihej një marrëveshje armëpushimi në prill.
Më vonë në muajin qershor, Washingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi lidhur me lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, por zbatimi i memorandumit ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë në këtë rrugë strategjike ujore.