Mücahithan Avcıoğlu, Emir Yıldırım
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
Turqia dhe Moldavia diskutuan masat për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik, përfshirë tregtinë, teknologjitë e mbrojtjes dhe investimet, tha sot ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat, transmeton Anadolu.
Bolat u takua në Ministrinë e Tregtisë në Ankara me zëvendëskryeministrin moldav dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Digjitalizimit, Eugen Osmochescu, si dhe ministrin e Mbrojtjes, Anatolie Nosatii.
Zyrtarët moldavë vizituan Turqinë për takimin e parë të Bashkëpunimit në Industrinë e Mbrojtjes Turqi-Moldavi.
Gjatë bisedimeve, palët shqyrtuan hapat për përshpejtimin e tregtisë dypalëshe, zgjerimin e partneriteteve strategjike në sektorët e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë si dhe rritjen e investimeve të ndërsjella, tha Bolat në platformën sociale turke NSosyal.
Të dyja palët u angazhuan për zgjerimin e fushës së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të vitit 2016, pasi tregtia dypalëshe tejkaloi 1 miliard dollarë në vitin 2025, njoftoi ministria. Bolat tha se Turqia është e vendosur të avancojë bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik me Moldavinë përmes një vizioni të përbashkët dhe vullneti të fortë politik.
Ai e përshkroi Moldavinë si një mike dhe partnere strategjike, duke thënë se të dy vendet do të vazhdojnë t’i çojnë marrëdhëniet e tyre afatgjata drejt së ardhmes përmes hapave konkretë. Veçmas, Turqia dhe Moldavia zhvilluan takimin e parë të Bashkëpunimit në Industrinë e Mbrojtjes në Ankara, duke shënuar një hap drejt institucionalizimit të bashkëpunimit dypalësh në këtë sektor.
Në takim morën pjesë zëvendëskryeministri moldav dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Digjitalizimit, Eugen Osmochescu si dhe ministri i Mbrojtjes, Anatolie Nosatii, shkroi në NSosyal Sekretari i Industrive të Mbrojtjes i Turqisë, Haluk Gorgun.
Sipas tij, palët diskutuan fushat e mundshme të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe vlerësuan mundësitë për projekte të përbashkëta dhe bashkëpunim në të ardhmen. Gorgun tha se takimi krijoi një bazë institucionale për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes mes dy vendeve dhe do të ndihmojë në përcaktimin e prioriteteve për punën e përbashkët.