Burhan Sansarlıoğlu
28 shtator 2026•Përditësim: 28 shtator 2026
Tregjet globale u vunë nën presion shitjesh në fillim të javës pasi presidenti amerikan Donald Trump refuzoi propozimin e Teheranit për armëpushim shtatëditor për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun e anijeve, transmeton Anadolu.
Pas refuzimit të Trumpit, nafta Brent me dorëzim në nëntor u rrit me 2,5 për qind, në 109,6 dollarë për fuçi, pasi pritshmëritë për armëpushim afatshkurtër mes SHBA-së dhe Iranit u zbehën.
Yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit amerikan arriti 5,23 për qind më 25 shtator, nivelin më të lartë që nga viti 2007 ndërsa yield-i 30-vjeçar arriti 5,53 për qind, niveli më i lartë që nga viti 2004.
Rritja e yield-eve të obligacioneve globale vazhdon të rrisë kostot e huamarrjes për kompanitë e teknologjisë ndërsa ato përpiqen të financojnë përpjekjet e tyre në inteligjencën artificiale, me vlerë miliarda dollarë.
Indeksi i dollarit amerikan u rrit me 0,1 për qind, në 101,1, ndërsa ari ra me 2,1 për qind, në 4.196 dollarë për ons.
Pas vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në SHBA më 23-25 shtator, Shtëpia e Bardhë tha se të dyja vendet arritën marrëveshje për uljen e tarifave për 30 miliardë dollarë mallra jo të ndjeshme në të dyja drejtimet. Tregjet presin sinjale më të qarta për inflacionin dhe aktivitetin ekonomik në SHBA ndërsa këtë javë priten të dhënat për rritjen, punësimin jo-bujqësor dhe konsumin personal.
Në SHBA, Dow Jones u rrit me 0,93 për qind, S&P 500 me 0,51 për qind dhe Nasdaq me 0,48 për qind më 25 shtator. Indekset amerikane hapën tregtimin të hënën në territor negativ. Në Evropë, DAX 40 i Gjermanisë u rrit me 0,56 për qind, FTSE MIB 30 i Italisë me 0,63 për qind dhe FTSE 100 i Britanisë së Madhe me 0,14 për qind ndërsa CAC 40 i Francës ra me 0,04 për qind.