Şeyma Erkul Dayanç
05 nëntor 2026•Përditësim: 05 nëntor 2026
Studentët kanë organizuar protesta në Athinë, Selanik dhe në qytete të tjera të Greqisë, duke kundërshtuar kushtet në arsimin publik dhe rritjen e kostos së jetesës, transmeton Anadolu.
Sipas raportit nga 902.gr, studentë dhe të diplomuar u mblodhën në sheshin Propylaea, në qendër të Athinës, duke mbajtur pankarta me kërkesa për rritjen e financimit publik për arsimin, përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe arsim falas.
Ata kërkuan gjithashtu masa për të adresuar mungesën e personelit në shkollat publike, si dhe barrën financiare që shpenzimet për strehim dhe arsim paraqesin për studentët dhe familjet e tyre.
Shoqatat studentore gjatë marshimit shpalosën një pankartë para Ministrisë së Financave, ku theksoheshin shpenzimet që lidhen me arsimin.
Protestuesit lanë gjithashtu thasë me rrënoja para parlamentit, për të tërhequr vëmendjen ndaj gjendjes së ndërtesave shkollore.
Stacioni i metrosë Panepistimio, në qendër të Athinës, u mbyll gjatë protestave.
Marshimi përfundoi në sheshin Propylaea, ku protestuesit njoftuan se do t’u bashkohen aktiviteteve në shënim të 53-vjetorit të kryengritjes së Politeknikut të Athinës të vitit 1973.
Aktivitetet përkujtimore treditore pritet të nisin më 15 nëntor, ndërsa tubimi kryesor është planifikuar për 17 nëntor.