Emre Gürkan Abay
18 gusht 2026•Përditësim: 18 gusht 2026
Në Rusi, Google, Telegram dhe Microsoft u gjobitën me gjithsej 11,1 milionë rubla (rreth 130 mijë dollarë) për moslargimin e përmbajtjeve të ndaluara, transmeton Anadolu.
Gjykata e Qarkut Taganski në kryeqytetin Moskë mori vendimin lidhur me paditë e ngritura ndaj kompanive.
Pasi konstatoi se kompanitë nuk kishin respektuar ligjin duke mos hequr përmbajtjet e ndaluara nga këto platforma, gjykata urdhëroi Telegram dhe Google të paguajnë nga 3,8 milionë rubla secila, ndërsa Microsoftin 3,5 milionë rubla.
Në Rusi, më herët janë vendosur gjoba ndaj Google, Telegram dhe Microsoft, si dhe ndaj Apple, TikTok dhe platformave të tjera të huaja të internetit, për arsye si mosheqja e përmbajtjeve të ndaluara dhe mosrespektimi i detyrimeve ligjore në vend.
Gjithsej, gjobat e vendosura ndaj Google që nga fundi i vitit 2021, të llogaritura mbi bazën e të ardhurave të kompanisë, kanë tejkaluar 29 miliardë rubla, ndërsa detyrimet e papaguara të kompanisë në Rusi raportohen të jenë mbi 20 miliardë rubla.
Gjithashtu, ndaj Telegramit janë vendosur kufizime në aktivitetin e tij në Rusi, ndërsa vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti gjobat e shqiptuara ndaj kompanisë nga gjykatat e Moskës kanë tejkaluar 100 milionë rubla.