Enes Canlı
10 mars 2021•Përditësim: 10 mars 2021
Kabineti i kryeministrit të Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdul Hamid Mohammed Dbeibah, mori votëbesimin nga Dhoma e Përfaqësuesve në një seancë të zhvilluar në qytetin Sirte, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dhoma e Përfaqësuesve në Libi, përfundoi seancën që zgjati për 3 ditë në qytetin Sirte i cili ndodhet 450 km në lindje të kryeqytetit dhe në të cilën u mblodhën përfaqësues të vendit nga lindja dhe perëndimi.
Ndaj kabinetit të Dbeibah në të cilin ndodhen 26 ministra dhanë miratimin 132 nga 133 pjesëmarrës, ndërkohë që një votë është regjistruar abstenim.
Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Tobruk, Aguila Saleh, në një fjalim pas seancës tha se votëbesimi i kuvendit për qeverinë është i vlefshëm deri në zgjedhjet e rëna dakord nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Duke iu drejtuar parlamentit pas votëbesimit, kryeministri Dbeibah i shprehu falënderimet parlamentit për "nënshkrimin e një vendimi historik". "Shpresojmë që të punoni me mua në të gjitha fazat, të bashkohemi së bashku në Libi dhe të harrohet urrejtja e shkaktuar", shtoi Dbeibah.
Dbeibah theksoi se me mbështetjen e Kryesisë së Këshillit të Presidencës dhe Këshillit të Lartë Zgjedhor të Libisë do të punojnë për të realizuar zgjedhjet në datën e premtuar. Duke theksuar se shteti nuk mund të ndahet, Dbeibah tha "Ju premtoj që nuk mund të ketë luftë përsëri".
Sipas vendimeve të Forumit Libian për Dialog Politik të organizuar nën udhëheqjen e OKB-së, parashikohet që kryetari i Këshillit Presidencial në Libi, Mohammad Younes Menfi, kryeministri Dbeibah dhe qeveria e ardhur në detyrë ta çojnë vendin deri në zgjedhjet më 24 dhjetor 2021.