Agim Sulaj
25 shtator 2019•Përditësim: 25 shtator 2019
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti i SHBA-ve, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku është pritur nga presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, në këtë takim të shkurtër me Trumpin, Thaçi e ka falënderuar atë për mbështetjen që presidenti i Amerikës dhe populli i Amerikës i kanë dhënë gjithmonë popullit dhe shtetit të Kosovës.
Presidenti Thaçi ka theksuar se “mbështetja e SHBA-ve për popullin e Kosovës ka qenë përcaktues, fillimisht për mbijetesë dhe më vonë për jetësimin e aspiratës për liri dhe pavarësi”.
Thaçi ka theksuar se vazhdimi i mbështetjes gjithëpërfshirëse amerikane është jetike për ruajtjen e paqes dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën.
Gjatë qëndrimit në New York, Thaçi është takuar me liderë të ndryshëm botëror për të shtyrë përpara axhendën e thellimit të bashkëpunimeve bilaterale.
Bashkë me ministrin kosovar të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe liderët e rajonit ata kanë takuar të hënën edhe Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherinin. Pas këtij takimi, Thaçi tha se u “rikonfirmua edhe një herë përkushtimi i shteteve të rajonit për paqe dhe stabilitet, për zhvillimin dhe integrim në BE”.