Riyaz Khaliq Khaliq
01 tetor 2026•Përditësim: 01 tetor 2026
Presidenti indonezian Prabowo Subianto emëroi sot diplomatin e karrierës Arrmanatha Nasir si ministër të ri të jashtëm të vendit, duke pasuar Sugiono-n, raportuan mediat shtetërore, transmeton Anadolu.
Sugiono u emërua ministër i jashtëm në vitin 2024 kur Prabowo filloi mandatin e tij pesëvjeçar dhe është sekretar i përgjithshëm i Partisë Gerindra të presidentit.
Arrmanatha, 54 vjeç, ka shërbyer si një nga tre zëvendësministrat e jashtëm nën Sugiono-n, i cili u emërua ministër koordinues për zhvillimin njerëzor dhe çështjet kulturore.
I njohur gjerësisht si Tata, ministri i ri i jashtëm iu bashkua shërbimit diplomatik në vitin 1997 dhe ka mbajtur disa poste jashtë vendit, përfshirë atë të përfaqësuesit të përhershëm të Indonezisë në OKB.
Sugiono e përfundoi mandatin e tij me fjalimin e javës së kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku bëri thirrje për t'i dhënë fund kolonializmit dhe tha se "Palestina mbetet një provë e ndërgjegjes së bashkësisë ndërkombëtare".
Riorganizimi i fundit erdhi pak më shumë se dy javë pasi Prabowo emëroi Suahasil Nazara ministër të financave, duke zëvendësuar Purbaya Yudhi Sadewa.
Suahasil kishte shërbyer si zëvendësministër i financave përpara emërimit të tij.
Prabowo emëroi gjithashtu Dudung Abdurachman si ministër koordinues për çështjet politike dhe të sigurisë ndërsa Suyudi Ario Seto u emërua shef i policisë kombëtare, duke pasuar gjeneralin Listyo Sigit Prabowo, i cili u emërua shef i shtabit presidencial.