Admir Fazlagikj
27 shkurt 2018•Përditësim: 28 shkurt 2018
SHKUP (АА) – Mijëra qytetarë sonte në organizim të disa shoqatave qytetare protestuan në Shkup, për, siç theksuan, mbrojtjen e emrit të shtetit dhe identitetin e kombit, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta filloi para ndërtesës së Infoqendrës së BE-së në Shkup, prej ku qytetarët e tubuar u nisën me pankarta ku shkruante “Të gjithë për Maqedoni unitare”, “Një emër kemi”, “Emrin nuk e japim”, “Greqi, ndërprite racizmin”, ndërsa vazhdoi drejt Kuvendit të Republikës së Maqedonisë prej ku qytetarët theksuan kërkesat e tyre.
Qytetarët e tubuar fillimisht rikujtuan se para një viti filluan protestat qytetare të shoqatës “Për Maqedoni të Përbashkët” dhe kërkuan që të lirohen personat që janë në paraburgim për shkak të ngjarjeve të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.
Pjesëmarrësit e protestës theksuan se protesta e sontme është, siç theksuan, protestë për mbrojtjen e emrit të shtetit dhe identitetit të kombit.
Nga Kongresi Maqedonas Botëror, si një nga organizatorët e protestave porositën se kërkojnë që t’i jepet fund bisedimeve për kontestin me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, tërheqjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, tërheqjen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, lirimin e të paraburgosurve dhe të burgosurve për dhunën në Kuvend më 27 prill.
Po ashtu, protestuesit porositën se kërkojnë të hidhet poshtë referendumi për emrin, duke kërkuar nga pushteti, siç theksuan, që të heq dorë nga synimi për ndryshimin e emrit.
Ata paralajmëruan se kërkesat do të dorëzohen deri te presidenti, Kuvendi dhe Qeveria dhe deri te të gjitha ambasadat e huaja në Maqedoni.
Qytetarët e tubuar porositën se nëse Qeveria nuk i pranon këto kërkesa, ata kërkojnë vetëshpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.