Ayhan Şimşek
23 tetor 2026•Përditësim: 23 tetor 2026
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Evropa ka kapacitetin për të arritur sovranitet shkencor, duke iu referuar kërkimeve të avancuara në fushën e mikroelektronikës në Gjermani si dëshmi se kontinenti po shkon drejt një pavarësie më të madhe në teknologjitë kyçe, transmeton Anadolu.
“Ne në Evropë jemi në gjendje të bëhemi shkencërisht sovranë. Dhe tashmë jemi në këtë rrugë”, tha Merz gjatë një vizite në Institutin Leibniz për Mikroelektronikë me Performancë të Lartë (IHP).
“Këtu po ndërtohet e ardhmja e Evropës dhe këtu po merr formë e ardhmja e vendit tonë”, shtoi ai.
Merz gjithashtu foli për mënyrën se si ka evoluar me kalimin e kohës qasja e tij ndaj ambicieve teknologjike të Evropës.
“Jam shumë mirënjohës që koncepti i sovranitetit është bërë pjesë edhe e punës suaj. Me siguri e dini se fillimisht hezitoja pak ta përdorja këtë term, por tani e bëj këtë me bindje të thellë të brendshme", tha ai.
Vizita u zhvillua në kuadër të Agjendës së Qeverisë për Teknologjitë e Larta, e cila përqendrohet te inteligjenca artificiale, teknologjitë kuantike dhe mikroelektronika, me synim forcimin e ekonomisë, krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varësisë nga vendet e tjera.
Strategjia për mikroelektronikën, e cila shoqëron këtë agjendë, synon të përshpejtojë kalimin e rezultateve të kërkimit shkencor në prodhim, të mbështesë punonjësit e kualifikuar dhe të nxisë investimet në objekte të reja prodhuese.