Aysu Biçer
02 tetor 2026•Përditësim: 02 tetor 2026
Një grevë e ekuipazhit të "easyJet" në Portugali filloi sot dhe do të vazhdojë deri të martën ndërsa 443 fluturime të kompanisë nga bazat e saj në kryeqytetin Lisbonë, Porto dhe Faro janë anuluar tashmë, sipas Sindikatës Kombëtare të Personelit të Aviacionit Civil, transmeton Anadolu.
Udhëheqësja e sindikatës, Ana Dias tha se fluturimet e anuluara përbëjnë rreth 80 për qind të shërbimeve të planifikuara gjatë grevës pesëditore ndërsa paralajmëroi se edhe fluturime të tjera mund të përballen me pengesa.
“Ekuipazhet mbërritën në Porto nga Franca dhe me shumë gjasa do të kryejnë fluturime për të zëvendësuar grevistët, sërish në mënyrë të paligjshme”, tha Dias të enjten, sipas sindikatës. Një zyrtar i "easyJet" i tha agjencisë së lajmeve "Lusa" se kompania pret të realizojë rreth 55 për qind të fluturimeve të planifikuara gjatë grevës.
Kompania tha se shërbimet minimale përbëjnë rreth 22 për qind të operacioneve të saj me bazë në Portugali ndërsa fluturime shtesë drejt dhe nga Portugalia do të kryhen nga avionë dhe ekuipazhe të bazave të tjera evropiane.
"EasyJet" tha se operacioni po zhvillohet “në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi". Sindikatat kundërshtojnë përdorimin e ekuipazheve nga bazat e tjera për zëvendësimin e punonjësve grevistë, duke e cilësuar këtë praktikë të paligjshme dhe duke thënë se mund ta çojnë çështjen në gjykatë.
Greva pason mosmarrëveshjet për stabilitetin e orareve të fluturimeve, rritjen e pagave në bazë të vjetërsisë në punë dhe kushtet e propozuara gjatë negociatave për një marrëveshje kolektive të kompanisë.
Një tjetër grevë e ekuipazhit të "easyJet" është planifikuar për 19-23 dhjetor, e cila mund të ndikojë në udhëtimet gjatë periudhës së ngarkuar të Krishtlindjeve.