Beyza Binnur Dönmez
08 tetor 2026•Përditësim: 08 tetor 2026
Britania e Madhe njoftoi sot se konsullata e saj në Kudsin Lindor të pushtuar do të mbetet e hapur me një emër të ri, "Misioni i Mbretërisë së Bashkuar, Kuds", pavarësisht urdhrit të Izraelit për ta mbyllur atë për shkak të ndalimit të tregtisë mbi vendbanimet e paligjshme, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të ndarë në platformën amerikane të mediave sociale X, Sekretari i Jashtëm Ed Miliband tha se Londra nuk e njeh autoritetin ligjor të Izraelit për të mbyllur konsullatën gati 200-vjeçare. "Pas diskutimeve me Qeverinë e Izraelit ndërtesa jonë e Konsullatës së Përgjithshme nuk do të mbyllet dhe do të njihet si Misioni i Mbretërisë së Bashkuar, Kuds që nga sot", tha ai.
Miliband tha se misioni do të mbetet operacional dhe do të vazhdojë të ofrojë shërbime dhe të punojë me palestinezët, duke riafirmuar qëndrimin e Britanisë se Kudsi Lindor është territor i pushtuar. "Misioni i Mbretërisë së Bashkuar, Kuds është i pavarur, operacional dhe do të vazhdojë të ofrojë shërbime jetësore dhe punën tonë me popullin palestinez", tha ai.
Ai shtoi se Britania ka tërhequr përkohësisht disa nga stafi dhe familjet e tyre për arsye sigurie dhe nuk do të ndëmarrë masa kundërpërgjigjeje ndërsa bisedimet vazhdojnë. "Ne do të punojmë në muajt në vijim për të rikthyer praninë tonë dhe nuk do të ndërmarrim veprime reciproke ndërsa diskutime të tilla janë duke u zhvilluar dhe janë të besueshme", tha sekretari i jashtëm.
Miliband riafirmoi angazhimin e Britanisë ndaj masave të prezantuara më 8 shtator, duke thënë se ato u morën në mbështetje të një zgjidhjeje me dy shtete që synonte sigurimin e paqes për izraelitët dhe palestinezët.
Ai po i referohej sanksioneve britanike që synonin vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë një ndalim të importit të produkteve të vendbanimeve, gjë që e shtyu Izraelin të urdhëronte mbylljen e konsullatës brenda 30 ditëve, një afat që skadoi të enjten.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, megjithatë, tha se konsullata ka pushuar së funksionuari dhe se 20 diplomatë britanikë, përfshirë konsullin e përgjithshëm, do të largoheshin nga Izraeli. Saar tha se Izraeli kishte autorizuar vetëm shtatë diplomatë të qëndronin në ndërtesë, me aktivitete dukshëm të kufizuara.
Ai shtoi se ndërtesa që strehon konsullatën i përket qeverisë britanike dhe se Izraeli kishte autorizuar Londrën të mbante një ekip prej vetëm shtatë diplomatësh atje, me një "fushë aktivitetesh dukshëm të kufizuar".
Të dyja palët thanë se kanë rënë dakord të vazhdojnë diskutimet. Sipas një korrespondenti të Anadolu-s në terren, punëtorët hoqën sinjalistikën nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Kudsin Lindor të enjten. Urdhri i mbylljes nuk ndikon në ambasadën britanike në Tel Aviv.