Melike Pala
08 korrik 2026•Përditësim: 08 korrik 2026
Komisioni Evropian theksoi të mërkurën se tregtia midis Bashkimit Evropian dhe SHBA-së mbetet "thellësisht e integruar dhe e dobishme reciproke", duke u zotuar se do të mbrojë interesat e bllokut dhe shteteve anëtare të tij pasi presidenti amrikan, Donald Trump, kërcënoi se do të ndërpresë tregtinë me Spanjën, transmeton Anadolu.
"Tregtia midis Bashkimit Evropian dhe SHBA-së është thellësisht e integruar dhe e dobishme reciproke. Prandaj, është në interesin tonë të përbashkët të ruajmë këtë marrëdhënie; në të vërtetë, kjo është më e rëndësishme se kurrë në një kohë përçarjeje globale," u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në Bruksel zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill.
Gill tha se BE-ja pret që SHBA-ja të respektojë angazhimet e marra sipas një deklarate të përbashkët të rënë dakord nga të dyja palët vitin e kaluar.
Ai shtoi se Komisioni i BE-së do të vazhdojë të mbrojë interesat e bllokut.
"Komisioni do të sigurojë gjithmonë që interesat e Bashkimit Evropian dhe të gjithë shteteve tona anëtare të mbrohen plotësisht. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë tregtinë transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme dhe reciprokisht të dobishme për të mirën e të gjithëve," tha Gill.
Vërejtjet e tij erdhën pasi Trump tha se donte t'i jepte fund tregtisë me Spanjën, duke akuzuar vendin për dështimin për të përmbushur angazhimet e tij për shpenzimet e NATO-s.
"Ne nuk duam të bëjmë më asnjë biznes tregtar me Spanjën," tha Trump, duke e përshkruar Spanjën si "një partner të tmerrshëm" në NATO.
Duke e quajtur Spanjën "një kauzë të humbur" dhe "armiqësore", Trump tha se donte që Madridi të fitonte dukshëm më pak nga tregu amerikan për shkak të asaj që ai e përshkroi si kontributin e tij të pamjaftueshëm në aleancë.
Burimet e qeverisë spanjolle hodhën poshtë komentet e Trump, duke thënë se vendi mban "një marrëdhënie madhështore sociale, kulturore dhe ekonomike" me SHBA-në që përfitojnë të dyja palët.