Dzihat Aliju
14 gusht 2026•Përditësim: 14 gusht 2026
Uji në Gostivar është i sigurt për t'u pirë, njoftuan autoritetet kompetente të vendit, pothuajse një muaj pas situatës së krijuar nga ndotja e ujit në këtë komunë, raporton Anadolu.
Shtabi kryesor për menaxhimin e krizave zhvilloi një mbledhje lidhur me informacionet e fundit për ujin e pijshëm nga ujësjellësi i Gostivarit.
Pas mbledhjes, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Milanov tha se nga sot uji në Gostivar mund të përdoret për pije.
Qytetarëve u rekomandohet që uji nga çezmat ta lënë të rrjedhë mirë para se ta përdorin për pije.
Uji në Gostivar ishte i ndaluar për pije që nga 17 korriku. Institucionet konstatuan se pompat kishin futur ujë të ndotur me fekale në ujësjellësin e qytetit.
Mbi 5.000 qytetarë u infektuan, ndërsa më 19 korrik u shpall epidemi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 21 korrik mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit për një periudhë prej 30 ditësh.
Uji në Komunën e Gostivarit që nga 27 korriku mund të përdorej për larje dhe për të gjitha nevojat e tjera në kuadër të amvisërisë.