Vesna Besic
20 shtator 2020•Përditësim: 21 shtator 2020
Me vendosjen e luleve, këndimin e Fatihas dhe duke bërë homazhe për viktimat e gjenocidit, sot u shënua 17-vjetori i hapjes zyrtare të Qendrës Memoriale të Srebrenicës-Potoçari, vendi ku prehen eshtrat e viktimave të gjenocidit të vitit 1995, raporton Andolu Agency (AA).
Në përkujtim morën pjesë, ndër të tjera, familjet e viktimave si dhe anëtarë të shoqatave të ndryshme.
Në këtë ditë në vitin 2003, Qendra Memoriale në Potoçari u hap nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton. Mijëra viktima të gjenocidit në korrik 1995 të kryera nga formacione ushtarake, policore dhe paraushtarake të entitetit të Bosnjë e Hercegovinës - Republikës Sërpska dhe Serbisë. Viktimat janë nga komuna të ndryshme, shumica e tyre nga Srebrenica, Bratunac, Vlasenica, Zvornik dhe Miliç.
Mbetjet mortore të viktimave të gjenocidit janë gjetur në 150 lokacione të ndryshme, prej të cilave 77 ishin varreza masive. Viktima më e re e varrosur deri më tani në Potoçari është një foshnje e sapolindur, Fatima Muhiç, ndërsa më e vjetra është lokja Shaha Izmirliç e lindur në vitin 1901.
Qendra Memoriale përbëhet nga dy komponentë, e para në të cilën është varreza ku janë varrosur eshtrat e më shumë se 6.600 viktimave të gjenocidit.
Procesi i identifikimit dhe varrosjes së viktimave vazhdon çdo vit. Muri përkujtimor, në të cilin janë shkruar emrat e 8.372 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës është gjithashtu brenda varrezave.
Komponenta e dytë e Qendrës Memoriale është vendosur në ish-fabrikën e baterive që shërbeu si selia e batalionit holandez të OKB-së përpara gjenocidit dhe ngjarjeve të korrikut 1995. Sot në këtë objekt janë vendosur ekspozitat si Dhoma Përkujtimore, Dhoma Multimedia dhe Qendra e Dokumentimit, një hapësirë e krijuar për të njoftuar vizitorët në lidhje me krimet e kryera në dhe rreth Srebrenicës dhe procesuimin e tyre pasues në gjykatat ndërkombëtare dhe vendase.
Vizitorët në kompleksin kryesor të ekspozitës mund të dëgjojnë dëshmi, të shikojnë instalime filmike, të rishikojnë provat materiale dhe të shikojnë në dokumentet e gjykatës në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995.