Fatjon Cuka
05 tetor 2026•Përditësim: 05 tetor 2026
Në Shqipëri ka filluar sot viti i ri akademik 2026-2027, në universitetet në mbarë vendin, raporton Anadolu.
Procesi mësimor zyrtarisht ka filluar në universitetet publike dhe private të Shqipërisë, ndërkohë në vend janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme.
Viti i ri akademik ka filluar edhe në Universitetin e New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif.
Raportohet se në të gjithë vendin janë gjithsej 120 mijë studentë, ku 20 mijë prej tyre janë në vitin e parë.
Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, zyrtarë të lartë të vendit dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka publikuar një mesazh urimi në rrjetet sociale, duke theksuar se uron që studentët të kenë kurajë për të ëndërruar, disiplinë për të punuar fort dhe besim për të arritur suksesin.
"Sot nis një vit i ri akademik, një udhëtim i ri përkushtimi dhe sfidash për studentët dhe pedagogët. Universitetet janë vatrat ku formohen jo vetëm profesionistët e aftë të së nesërmes, por, mbi të gjitha, qytetarët e angazhuar që do të ndërtojnë të ardhmen e vendit", është shprehur Begaj.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi, në mesazhin e saj të publikuar në rrjetet sociale, u ka uruar suksese të gjithë studentëve.
"Sot universitetet hapin dyert për një tjetër vit me auditore plot, ide, kërkim dhe ëndrra që projektohen për t’u realizuar, teksa formësojnë profesionistë, e mbi të gjitha qytetarë të mirë", është shprehur Furxhi.