Furkan Abdula
06 maj 2019•Përditësim: 07 maj 2019
Qeveria e Maqedonisë së Veriut 7 majin e shpalli ditë jo pune në territorin e Qytetit të Shkupit me rastin e vizitës së Papa Françeskut në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në pajtim me vlerësimet organizative të lidhura me protokollin e vizitës së Shenjtërisë së tij Papa Françeskut dhe në pajtim me nevojat dhe kërkesat e institucioneve dhe qytetarëve, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mori vendim se dita e nesërme, 7 maji (e martë), të jetë ditë jo pune për të gjithë të punësuarit në administratën publike dhe shtetërore të territorit të Qytetit të Shkupit", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Më tej thuhet se me këtë vendim janë përfshirë shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa kopshtet do të organizohen që të funksionojnë pa pengesë.
“Qeveria u rekomandon edhe kompanive private, respektivisht nga rajoni qendror i qytetit që të pranojnë këtë vendim që kjo ditë të jetë ditë jo pune edhe për të punësuarit në këtë sektor në mënyrë që të japin kontributin e tyre në organizimin e përmbajtjes programore nga vizita e Papa Françeskut. Në mënyrë shtesë do të njoftohet se kur do të punohet dita e nesërme”, theksohet në njoftimin e Qeverisë.
Kujtojmë se nesër për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut do të qëndrojë Papa Françesku në kuadër të së cilës do të takohet me kreun shtetëror dhe do të mbajë meshën në qendër të Shkupit.