Agim Sulaj
28 korrik 2026•Përditësim: 28 korrik 2026
Në fshatin Kalludër e Vogël të Komunës së Zubin Potokut në veri të Kosovës kanë nisur gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë 1998-99, transmeton Anadolu.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se në terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa në operacion po marrin pjesë edhe zyrtarë policorë të EULEX-it, të cilët po ofrojnë mbështetje të sigurisë gjatë zhvillimit të ekzaminimeve.
Nën masa të rrepta sigurie, ekipi i antropologëve ka hyrë në lokacionin ku po kryhen gërmimet dhe ekzaminimet forenzike.
Burimet mediatike kanë bërë të ditur se në vendin e dyshuar janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje ndërsa ekzistojnë dyshime se këto mbetje mund t’u përkasin 23 personave të njohur si Grupi i intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill 1999.